Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka bërë inaugurimin e Qendrës për Azilkërkuesit, në fshatin Magure të Lipjanit. Ai ka thënë se në këtë Qendër 50 azilkërkues do të transferohen menjëherë pasi të përmirësohet moti i lig.
Ministri Rexhepi ka thënë se është i vetëdijshëm se disa azilkërkues e shfrytëzojnë Kosovën si transit për të dalë në vendet e tjera të Evropës, por ka thënë se ka edhe të atillë me qëndrim në Kosovë.
Azilkërkuesit kryesisht vijnë nga vendet e Azisë, Afrikës Veriore dhe nga Lindja e Mesme.
Për këtë projekt i cili përbën dy ndërtesa, njëra për administratë dhe tjetra për banimin e azilkërkuesve Komisioni Evropian i ka ndarë 1.4 milionë euro.