Jahjaga: Kosova të trajtohet e barabartë në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Jahjaga theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrave që dalin nga Plani Ahtisaari dhe përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare për Kosovën.
“Zbatimi i plotë i Planit Ahtisaari në tri komunat në veri të Kosovës, është rruga përpara”, tha ajo, për të shtuar se ka vështirësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, për shkak të pengesave që vijnë nga Serbia.
Presidentja tha se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ajo duhet të trajtohet dhe të përfaqësohet në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera të rajonit.
Zhbogar tha se është i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimeve evropiane, ndërsa thekson se vendi ynë duhet të punojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të sistemit të drejtësisë.
Ai përshëndeti nismat e Presidentes për një bashkërendim më të mirë të institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe në luftën kundër korrupsionit.