Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë për “Radio Dukagjinin” se nuk ka qenë e nevojshme që t’i jepet shumë rëndësi çështjes së fusnotës. Mirëpo, ai ka insistuar që në asnjë mënyrë Kosova nuk guxon të kthehet prapa nga ajo që e ka deklaruar më 17 shkurt të 2008-ës. Nga ana tjetër, ish-presidenti shqiptar, Alfred Mojsiu, ka theksuare se politika njeh kompromise të tilla, siç është ajo e fusnotës
“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë fazë nuk do duhet të lejoj ndonjë qasje të kthimit prapa që do të prishte jo vetëm formulën e prezantimit të Kosovës, por në një formë edhe të zbehjes së rolit si faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitet, dhe pjesëmarrjen në takimet e rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë Sejdiu.
Ish presidenti shqiptar, Alfred Mojsiu, ka porositur politikbërësit kosovarë që të kenë kujdes që fituese në këtë mes të mos del vetëm Serbia, por që edhe Kosova të vjel frytet e këtij kompromisi.
“Politika njeh kompromise të tilla dhe do të thosha se hapat e ardhshëm duhet të jenë shumë të kujdesshëm, në mënyrë që përfitimet mos të jenë vetëm në të mirë të Serbisë, por në favor të të dyja palëve për zgjidhjen sa më të drejt të problemit”
Sejdiu dhe Mojsiu theksojnë se deklaratat mbështetëse të SHBA-ve janë garanci se Kosova do të ruaj sovranitetin.