Adem Sufaj fermeri i vitit

Adem Sufaj është shpallur fermeri i vitit, duke fituar një mëshqerrë, në ceremoninë “Shpallja e Fermerit të vitit e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Shoqata e Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqatën e Përpunuesve të Qumështit.

Përveç fermerin Sufaj janë shpërblyer edhe Brahim Bicorri me një Laktorfriz të 1 mijë e 200 litrave që ka vlerë rreth 2 mijë e 500 euro, fermeri Beqir Ukaj me 400 euro, Florim Shala 300 euro dhe Nazim Berisha me 200 euro.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci tha se përkrahja për fermerët do të vazhdoj edhe më tej. Stavileci ka thënë se raportet se gjoja toka e Kosovës është e kontaminuar nuk i bënë mirë askujt, e aq më pak prodhuesve.
“Nuk është se prodhuesit tanë filluan të prodhojnë prej dje apo pardje, pra janë gjithë këto vite që ne kemi pasur një prodhim cilësorë, çështja e sasisë dhe sa i përmbushim ne nevojat tona është një çështje tjetër”, u shpreh Stavileci.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu si zakonisht nuk ka mundur të anashkalojë raportin ku thuhet se toka e Kosovës është e helmuar. Ai u tha fermerëve se toka e Kosovës është e bekuar, me punën e djersën e tyre. “Ju jeni vula e asaj që nga toka e Kosovës ka pasur dhe do të ketë produkte të cilësisë së lartë, produkte të cila me të vërtet i plotësojnë të gjithë normat dhe kriteret evropiane dhe botërore”, tha Gërxhaliu.
Ndërkaq ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se Qeveria e sheh ketë sektor si një nder sektorët me vital te shoqërisë kosovare, të ekonomisë kosovare i cili ka kapacitete edhe me te mëdha për rritje. “Ne jemi këtu për t’ ju dhënë atë mbështetje duke filluar prej asaj morale, te ajo institucionale dhe me tutje edhe tek reformat e shumta te cilat janë duke zënë vend ne shoqërinë dhe ne politikat e Qeverise se Republikës se Kosovës”, tha zëvendës kryeministrja Kusari Lila.
Diana Alia, kryetare e komisionit vlerësues për zgjedhjen e fermerit të vitit ka shpjeguar se është dashur t’i plotësojnë disa kritere.
Shpallja e fermerit të vitit është sponzoruar nga Devolli Group respektivisht Qumështorja VITA.