Arrin kallëzimi penal kundër Dikovicit

Në Prokurorinë serbe për krime të luftës ka mbërritur kallëzimi penal i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) kundër kryeshefit të Ushtrisë së Serbisë, Ljubisa Dikovic, ka konfirmuar për mediat serbe zëvendësprokurori për krime të luftës, Bruno Vekaric.

FDH kallëzimin penal ia ka paraqitur nga fundi i janarit Prokurorisë Publike të Serbisë, të cilin të mërkurën ia ka përcjellë Prokurorisë për krime të luftës, si organ kompetent për të shqyrtuar pretendimet e fondit.
Një grup organizatash joqeveritare i ka bërë thirrje Prokurorisë për krime të luftës që të hetojë pretendimet e FDH në lidhje me përgjegjësinë e mundshme të Dikovicit për krime të luftës në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Prokuroria për krime të luftës më 25 janar kishte njoftuar se nuk ekziston kurrfarë baze për dyshime mbi përgjegjësinë penale të Dikovicit për krime të luftës.
FDH paraprakisht ka mohuar përshtatshmërinë e kryeshefit të ri të Ushtrisë serbe dhe ua kishte dërguar mediave "dosjen" për krimet e tij të luftës mbi civilët shqiptarë.