Mujota: Infrastruktura rrugore është përmirësuar dukshëm

Për katër vjet të funksionimit të shtetit të pavarur, në Kosovë është përmirësuar dukshëm infrastruktura rrugore. Krahas rrugëve rajonale dhe magjistrale, janë ndërtuar edhe shumë rrugë lokale, e njëkohësisht është duke u ndërtuar autostrada që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Por, ende mbetet shumë punë për t’u bërë, thotë Ministri i Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota.
Falë investimeve të vazhdueshme, përparimet në infrastrukturën rrugore në Kosovë vërehen dukshëm. Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, thotë se pas shpalljes së pavarësisë, përveç rrugëve rajonale e magjistrale, janë ndërtuar edhe shumë rrugë lokale.
Kjo, sipas tij, ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e fshatrave dhe ndaljen e migrimit të banorëve, njëkohësisht zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, por edhe turizmit. “Sot kemi afërsisht 2000 kilometra rrugë rajonale dhe magjistrale, por ka edhe shumë kilometra tjerë që nënkupton ndërtimin e rrugëve lokale. Kur kësaj i shtojmë tani edhe fillimin dhe vazhdimin e autostradës dhe plani për autostradën drejt Shkupit, atëherë mund të themi se për katër vjet Kosova ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë”, thotë Mujota.
Në fokus të kritikave qoftë të opozitës, por edhe të ekspertëve ka qenë cilësia e ndërtimit të rrugëve. Ministri Mujota thotë se në të ardhmen do të angazhohen më shumë, sidomos në këtë drejtim. “Kapacitetet tona do të orientohen tani në menaxhimin më të mirë të kohës së ndërtimit të rrugëve, cilësisë së ndërtimit të rrugëve, flas për rrugët lokale dhe natyrisht përforcimin e kapaciteteve profesionale dhe përfundimin e punëve në afatet e parapara me kontrata. Prandaj, ka shumë punë për të bërë, por në infrastrukturën rrugore Kosova ka përparuar shumë”, tha ministri Fehmi Mujota për Radio Kosovën.
Këtë vit, Ministria e Infrastrukturës ka një buxhet prej rreth 280 milionë eurosh, prej të cilave 240 milionë do të investohen në autostradën “Ibrahim Rugova”, kurse pjesa tjetër në vazhdimin e disa projekteve, por edhe në projekte të reja.