EULEX sërish në veri të Kosovës

Në bazë të një marrëveshje, e cila është arritur më 24 janar, EULEX-it sërish i është mundësuar liria e lëvizjes në veri të Kosovës,

Kjo “marrëveshje xhentëlmenësh” është mundësuar në takimin e liderëve serbë të veriut të Kosovës dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, ku, siç shkruhet, palët janë marrë vesh që misioni i BE-së mund të lëvizë nëpër rrugë tokësore, deri të pikëkalimet kufitare në Bërnjak të komunës së Zubin Potokut, dhe në Jarinjë të komunës së Leposaviqit, me kusht që të mos bartin në automjetet e tyre doganierët shqiptarë.
Në takimin në të cilin ka marrë pjesë Radenko Nedelkoviq, i ashtuquajturi kryeshef i rrethit të Mitrovicës, por jo edhe përfaqësuesit e komunave të veriut - për shkak të kushteve të rënda meteorologjike - është vendosur që EULEX-i sërish të lëvizë nëpër rrugët e komunës së Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.
“Kemi marrë premtime se nuk do të bartin doganierë shqiptarë në Bërnjak dhe Jarinjë dhe ne u besojë fjalëve të oficerëve”, ka thënë për mediat serbe Dragisa Milovic, kryetar ilegal i komunës së Zveçanit, duke përkujtuar se në një takim të radhës do të verifikohet nëse EULEX është duke respektuar apo shkelur marrëveshjen.
Milovic ka thënë se barrikadat do të mbeten deri atëherë kur do të dihet saktësisht se çfarë do të ndodh me Bërnjakun dhe Jarinjën dhe përderisa doganierët shqiptarë nuk tërhiqen nga aty.
Që EULEX-it i është mundësuar lëvizje kah Jarinja, ka konfirmuar edhe Branko Ninic, kryetar ilegal i Leposaviqit, duke shtuar se kanë marrë garanci nga komandanti i forcave amerikane, të stacionuara në bazën afër Jarinjës, se atë nuk do t’i bartin doganierët shqiptarë.
“Nuk isha në takim kur është arritur marrëveshja, por jam informuar se në konvoj të automjeteve të KFOR-it lejohet EULEX”, ka thënë Ninic, transmeton “kosovapress”, duke potencuar se në bisedën e tij më komandantin amerikanë ka marrë premtime se EULEX në veri të Kosovës do të lëvizë vetëm për nevoja të veta.
Për sa i përket komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantic, që thirret si kryetar i kësaj komune, ka thënë se automjetet e EULEX-it nuk lëvizin nëpër këtë komunë dhe se me zyrtarët e këtij misioni është ndërprerë çdo bashkëpunim që nga 9 dhjetori, disa ditë pasi është vrarë Savo Mojsic.
Që misioni i EULEX-it, pas disa muajsh bllokade sërish ka filluar të lëvizë në territorin e veriut të Kosovës, këtë e ka konfirmuar edhe Irina Gudelevic, zëdhënëse e misionit të BE-së në Prishtinë. Ajo ka thënë se liria e plotë e lëvizjes për EULEX-in ende nuk është arritur, por që prania kah veriu është relaksuar.