Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes, thotë se pas qershorit do të zvogëlohet numri i pjesëtarëve të EULEX-it. Por, sipas tij, do të vazhdojë mandati ekzekutiv, “sepse kjo i ofron siguri popullit të Kosovës”.
“Jemi një mision i madh, misioni më i madh që Bashkimi Evropian e ka lansuar ndonjëherë. Ky është një tregues i madh i përkushtimit që Bashkimi Evropian e ka për Kosovën”, ka thënë ai në një intervistë për “Radio Kosovën”.
Pjesëtarët e misionit EULEKS, nuk mund të qarkullojnë të lirë në veri të Kosovës për shkak të kundërshtimit të serbëve dhe barrikadave. Sparkes thotë se me barrikadat në veri, bllokohet Bashkimi Evropian.
“Ata po e bllokojnë edhe të ardhmen e tyre. Pra, politikisht kjo është një rrugë qorre në të cilën janë futur ata. Unë shpresoj se ata do t’i mundësojnë EULEX-it lirinë e plotë të qarkullimit”, thotë Sparkes, sipas të cilit ky problem ka të bëjë edhe me pikëpamjet e serbëve rreth pavarësisë së Kosovës.
“Të gjithë përpiqen që ta politizojnë EULEKS-in, gjatë gjithë kohës. Por, ajo që ne po përpiqemi ta bëjmë nuk është e natyrës politike, por është teknike, dhe ka të bëjë vetëm me rend dhe ligj”.
Më 17 shkurt vendet anëtare të BE-së diskutuan në Bruksel një dokument ku rishikohet aktiviteti i misionit të EULEX-it.
“Unë pres që EULEX-i do ta vazhdojë punën, ndoshta me një numër më të vogël, jo me kaq shumë njerëz që bëjnë monitorime dhe këshillime - qoftë në polici apo doganë. Por, mendoj se do të vazhdojmë me mandatin tonë ekzekutiv pak më gjatë, sepse kjo i ofron siguri popullit kosovar, sa i përket përmbushjes së drejtësisë - në të gjitha nivelet”, thotë Sparkes, për të shtuar se Kosova duhet t’i tregoj pjesës tjetër të botës se është anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare.
“Kosova nuk do të mund ta arrijë këtë, nëse asaj nuk i lejohet që t’i marr përgjegjësitë në duart e veta dhe për vete”.