Kompromis i dhembshëm me pak përfitim

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fusnotën, me të cilën Kosova do të përfaqësohet në forumet dhe nismat rajonale, nga analistët e çështjeve politike dhe njohësit e rrethanave integruese, vlerësohet si një kompromis i dhembshëm i Kosovës, nga i cili përfitimet janë minimale dhe, siç thonë ata, jo ekuivalente me kompromisin.

Analisti Ismajl Hasani vlerëson se Kosova ka qenë e detyruar ta bëjë kompromisin, ndërkohë që përfitimi i saj nga nismat rajonale do të jetë fare i paktë.
“Nismat rajonale nuk kanë agjendë aq dinamike sa që të peshonin dhe të ishin ekuivalente me kompromisin e dhembshëm, të cilin Kosova është detyruar ta bëjë”, ka thënë Hasani për “Radio Evropa e Lirë”.
Analisti Krenar Gashi, duke u bazuar në marrëveshjen e arritur për fusnotën, vlerëson se përfitimet e Kosovës do të jenë minimale krahasuar me kompromisin që ka bërë.
“Kosova nuk ka përfituar asgjë sa i përket integrimit të saj të mëtutjeshëm ndërkombëtar”, thotë Gashi.
Ndërkaq, Shenoll Muharremi, analist i çështjeve politike dhe njohës i rrethanave integruese evropiane, vlerëson se kompromisi të cilin e ka bërë Kosova lidhur me fusnotën, nuk do të sjellë asgjë të re sa u përket integrimeve evropiane, për shkak se edhe më parë ka qenë krejtësisht e ditur se Kosova e ka perspektivën evropiane.
“Paradoksi qëndron se Prishtina nganjëherë po mendon se mund të avancojë në BE, pa i përmbushur kriteret, duke bërë kompromise me Serbinë, në dialogun e sponsorizuar nga Brukseli. Kjo nuk qëndron”, thotë ai.
Megjithatë, analisti Hasani shpreh mendimin se pas gjithë këtij skepticizmi, që është shfaqur pas kompromisit të Kosovës për fusnotën, njerëzit në Kosovë ende e kanë shpresën se vendi i tyre do të ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nëse lexohet me vëmendje deklarata e fundit e ambasadorit Dell, atëherë jep shpresa që të kuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfundimisht, nuk e kanë ndërmend ta lënë (Kosovën) në mëshirën e këtyre kalkulimeve të zyrave të Brukselit, sa i takon përmbushjeve të apetiteve të Serbisë”, shpjegon Hasani.
Sidoqoftë, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel, Kosova në nismat rajonale do të paraqitet me fusnotën, ku thuhet se ky shënim është pa paragjykim për pozicionin mbi statusin dhe është në linjë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e pavarësisë së Kosovës.