Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD), ka shënuar sot 5-vjetorin e themelimit të saj. Drejtues të kësaj partie politike theksuan se LDD-në në këtë periudhë e përcollën shumë “sëmundje fëmijërore”.
“Një vit para Pavarësisë lindi LDD-ja. Tani, në 5-vjetorin e lindjes së LDD-së dhe 4-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së mbikëqyrur, diçka e përbashkët i ka përcjellë ato në rrugëtimin e tyre: ‘sëmundjet fëmijërore’”, ka thënë kryetari i LDD-së, Nexhat Daci.
“Të dyja ishin lindje jo të lehta, do të thosha lindje cezariane, në një asistencë të fuqishme të faktorit ndërkombëtar. As LDD e as Pavarësia e Kosovës nuk u rriten në rrugë normale, nuk patën fëmijëri të shëndetshme, ngase për këtë në Kosovë kishte shumë viruse, vendorë dhe ndërkombëtarë”.
Përkundër “lindjes cezariane” dhe “viruseve”, Daci thotë se “LDD është e përgatitur më tepër se kurrë” dhe e çliruar “nga të gjitha tensionet që i ka pasur në këtë kohë”.