Vushtrria kremton ditën e çlirimit

Me nderime në varrezat e dëshmorëve e me vënie kurorash, zyrtarët komunalë kanë shënuar 13 vjetorin e çlirimit të Vushtrrisë.

Me një akademi solemne që është organizuar në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, kryetari i komunës Bajram Mulaku, kujtoj këtë datë si datë të triumfit e të shpresës.
“17 qershori i vitit 1999 hapi një etapë të re për popullin e Kosovës dhe të komunës sonë. Është kjo etapa e lirisë dhe krenarisë kombëtare, etapa e prosperitetit dhe integrimeve kombëtare e ndërkombëtare”, tha i pari i komunës Mulaku.
Ndërkaq, siç njofton “Koha”, prezent në këtë akademi ka qenë edhe ish gjenerali i ushtrisë shqiptare Kudusi Lama, i cili deklaroj se ndjehej i lumtur me mundësinë e dhënë që t’iu drejtohet qytetarëve të vendlindjes së Hasan Prishtinës në përvjetorin e lirisë.
“Do të dëshiroja në këtë moment të isha në çdo familje dëshmori, të kisha pranë çdo luftëtar të asaj ushtrie, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që na dha lirinë, do të dëshiroja të përkëdhelë të gjitha lulet dhe drurët e tokave shqiptare, për të provuar freskinë e ajrit të maleve dhe fushave, duke shikuar fytyrat e fëmijëve të lumtur, pleqve të qetë, burrave e grave dinamike për të ndërtuar Kosovën e lirë, duke dhënë mesazhin se tokat shqiptare në të gjithë shtrirjen e tyre do të jenë të lira e shqiptarët do të jenë të fortë e të lumtur”, ka theksuar ai.
Në këtë manifestim, drejtuesit e pushtetit lokal ndanë mirënjohje për qytetarët e merituar të së kaluarës dhe së tashmes.