LDK: Ende nuk jemi anëtarë të Organizatës së PPE-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka sqaruar opinionin lidhur me shkrimet në media rreth anëtarësimit të LDK-së në Organizatën e Partive Popullore Evropiane. Bëhet e ditur se LDK nuk është anëtare e kësaj organizate, ndërsa vendimi final për anëtarësimin e LDK-së në Organizatën e PPE-së do të merret në vjeshtë të këtij viti.

Në njoftim bëhet e ditur se LDK-në e ka vizituar një Komision faktmbledhës i Partive Popullore Evropiane, i përbërë nga përfaqësues të dhjetë shteteve dhe se ky Komision ka takuar Kryesinë e LDK-së, Forumin e Gruas, Forumin e Rinisë, Grupin Parlamentar, strukturat e tjera të partisë dhe subjekte të tjera.
“Në disa medie të vendit është dhënë lajmi i gabuar për anëtarësimin e LDK-së në Organizatën e Partive Popullore Evropiane... Siç tha dje në konferencë për medie kryesuesja e Komisionit, nënkryetarja e PPE, Vortman-Kol, Komisioni shkon me përshtypje dhe me vlerësimet më të larta për organizimin, punën dhe profilin e LDK-së, si parti e qendrës së djathë... Vendimi final për anëtarësimin e LDK-së në Organizatën e PPE do të merret në vjeshtë të këtij viti”, thuhet në kumtesë