Ushtarët e KFOR-it dy orë pas mesnate kanë hequr barrikadat të cilat serbët lokalë i patën vënë në fshatin Rudare të komunës së Zveçanit. Gjatë aksionit të KFOR-it, nuk ka pasur incidente.
Gjendja në Rudare është e qetë, ndërsa serbët të cilët janë tubuar në barrikada dhe ushtarët e KFOR-it qëndrojnë aty njeri pranë tjetrit.
Në të vërtetë, sipas mediave serbe, ushtarët e KFOR-it, mbrëmë, katër orë pasi serbët lokalë patën vendosur barrikadat, kanë hequr ato te lokaliteti Rudare në veri të Kosovës. Aksioni ka kaluar pa incidente, kurse pjesëtarët e KFOR-it pastaj kanë shkuar në drejtim të Leposaviqit në bazën e tyre.
Pengesat nga drunjtë dhe bllokat e betonit janë hequr tërësisht, kurse ura mbi lumin Ibër në Rudare është debllokuar nga bllokada totale gjatë kohës së operacionit të cilin e ka realizuar KFOR-i. Gjatë kësaj kohe mbi veriun e Mitrovicës dhe Zveçanit është vërejtur një helikopter i KFOR-it, njofton “Zëri”.
Pas heqjes së bllokadave, gjendja e sigurisë në Rudare është e qetë, kurse drejtimet e rrugëve të cilat shpijnë drejtë Zveçanit janë të lira.
Barrikadat e reja serbët i kanë vënë në shenjë pakënaqësie për mbylljen e rrugëve alternative në veri të Kosovës nga ana e KFOR-it, i cili të shtunën në mëngjes patën filluar aksionin e mbylljes së rrugëve alternative në lokalitetin Banje në vendin e quajtur Shtuoce, afër të këtij vendkalimi.