Një amerikan i papërgjegjshëm me shaka e ka vendosur fëmijën e tij të vogël në një lavatriçe të madhe, gjë e cila për pak sa nuk i kushtoi jetën vogëlushit.
Makina e larjes së teshave ishte e një lloji që fillonte punën me të mbyllur derën çka bëri që nëna dhe babi të futeshin në panik. Rrotullimi i fëmijës disa herë në lavatriçe u regjistrua minutë pas minute në kamerat e sigurisë së lavanterisë.
Sipas Start, ngjarja ka ndodhur më 11 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është shpërndarë vetëm së fundmi në uebsajtet në internet. Në video shfaqet një nënë e re së bashku me bashkëshortin dhe fëmijën e tyre të vogël në një lavanteri. Babai i pakujdesshëm, i cili dëshiron të bëjë shaka, e vendos fëmijën në lavatriçe dhe i mbyll kapakun. Mirëpo, makina kishte një sistem që me të mbyllur derën hyn në punë e në këtë mënyrë filloi të rrotullonte edhe fëmijën bashkë me rrobat. Sado që u munduan të hapin derën e lavatriçes nëna dhe babai i shastisur, nuk ia dolën.
Në këtë mënyrë ata vrapuan për te personeli i lavanterisë. Ndërkohë që fëmija vazhdonte të rrotullohej, një punonjëse erdhi me shpejtësi dhe e fiku makinën e larjes. Pas hapjes së kapakut u pa që fëmija ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Babai duket se ka nxjerrë mësim se jo me gjithçka mund të bëhet shaka.