Boja Ambasador, Ahmeti e Shala “në procedurë”

Krejt tjetër kush ishte menduar të vihej në vend të Rexhep Bojës. Por, ky i fundit të premten arriti të marrë dekretin presidencial për postin Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Një vendim të tillë Presidentja Atifete Jahjaga e mori duke u bazuar në Ligjin mbi Ministrinë e Jashtme dhe shërbimin diplomatik të Kosovës.
Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar, Deputeti i Partisë së Drejtësisë, Amir Ahmeti ishte propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për pozitën e Bojës. Por, ndaj Ahmetit duket se ka rezerva për të cilat zyrtarisht nuk flet askush, raporton “Express”.
Tash në MPJ thonë se Ahmeti nuk është propozuar fare nga institucionet e Kosovës për t’u dërguar në Riad.
“Rexhep Boja ka qenë i propozuari i përbashkët i Qeverisë dhe Presidencës, dhe si i tillë ka kaluar nëpër Komisionin për Punë të Jashtme dhe është dekretuar si Ambasador në Arabinë Saudite”, ka thënë Zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami.
Këshilltari i Presidentes, Arbër Vllahiu, ndërkaq nuk ka dashur të komentojë direkt për rastin e Ahmetit. Ai ka thënë se dekretimi i Bojës është proceduar sipas kërkesës dhe propozimit të Ministrinë së Punëve të Jashtme.
“Presidentja e Republikës së Kosovës nuk e ka refuzuar asnjë propozim deri më tani, sepse kjo nuk është e paraparë me ligj”, ka thënë Vllahiu.
Por, deputeti i Partisë së Drejtësisë nuk është i vetmi kandidat, i cili është ballafaquar me telashe.
Ish-Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ishte propozuar si ambasador i Kosovës në Bruksel, por dekretimi i tij nuk ka ndodhur. Në Bruksel vazhdon punën ambasadori Ilir Dugolli.
Ish-ministri i Ekonomisë është përmendur për ambasador edhe në Japoni.
Megjithëkëtë, Zëdhënësi i Presidencës thotë se Shala dhe Ahmeti ende janë në lojë edhe ata mund të shkojnë ambasadorë në vende tjera.
“Emrat që ju përmendni janë në procedurë”, ka thënë Vllahiu. “Gjithë procedura e emërimit është në besim dhe arsyetimi i emërimit, ashtu si edhe në vendet e tjera, nuk është pjesë e bërjes publike” Vllahiu.
Përveç Bojës , deri më tani ambasadorë të Kosovës nga Presidentja Jahjaga janë emëruar edhe Akan Ismaili në Uashington, Ylber Hysa në Shkup dhe Rexhep Selimi në Tiranë.
Në rrethin e dytë të ndryshimeve në shërbimin diplomatik të Kosovës, ndërkaq, pritet të ketë lëvizje në Ambasadën e Kosovës në Berlin, ku pritet të shkojë Skënder Xhakaliu, i cili për pak kohë ka shërbyer në Ministrinë kosovare të Arsimit.
Ndryshime pritet të ketë edhe në Bullgari. Në Ambasadën e Kosovës në Sofje pritet të shkojë Shpend Kallaba, zyrtar i AKR-së. Një tjetër koleg i Kallabës, Esat Brajshori, pritet të dërgohet ushtrues detyre i ambasadorit të Kosovës në Çeki.