“Tripi” qeveritar në Dubai

Pluhuri i kryeqytetit nuk do t’i “prekë” dhjetëra zyrtarë të dikastereve të ndryshme qeveritare, të cilët punën e tyre në zyra do ta “zëvendësojnë” në njërin nga hotelet luksoze të Dubait.

Për të “shëtitur” pesë ditë në Dubai, ekzekutivi i vendit është treguar dorëlirë, ngase për këtë “trip” nga buxheti i vendit janë ndarë jo më pak se 2500 euro për një person, shkruan Zëri.
E tërë kjo shumë e parave do të jepet në emër të trajnimit të kandidatëve për shërbim civil, sistem të pagave dhe të drejtën e punës, trajnim ky që do ta organizojë kompania private “Ekspertiza”.
Por, trajnimi nuk përfundon vetëm brenda mureve të hotelit. Me mjetet e taksapaguesve kosovarë zyrtarët qeveritarë do të shëtisin nëpër vende të caktuara të njërit nga qytetet më të shtrenjta në botë.
“Besoj që zyrtarët nuk dërgohen atje për trajnim por për shëtitje... Atje zakonisht shkohet për shiping, e si duket kjo është arsyeja e udhëtimi”, thekson deputetja e Vetëvendosjes, Alma Lama.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se nuk e ka idenë se për çfarë trajnimesh bëhet fjalë. I pyetur se si ka mundësi që të paguhen dy mijë e pesëqind euro për një person dhe pse qeveria ka pranuar t’i dërgoj zyrtarët në Dubai, Kuçi ka thënë: “Nga ju (Zëri) po dëgjojë për këtë”.
Drejtori i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, Avni Zogiani, thotë se fakti që është vendosur që të ketë trajnime në Dubai, lë për të dyshuar se do të ketë keqpërdorime të parasë publike.