NATO nuk lejon trazira

KFOR-i i ka marrë udhëzimet nga NATO-ja që të përdorë të gjitha mjetet për të mos lejuar trazira në veri.

Si rezultat, trupa paqeruajtëse e NATO-s ka paralajmëruar institucionet e Kosovës që të mos i përdorin incidentet e fundit për nxitje politike, ngase KFOR-i nuk do të lejojë edhe një situatë të ngjashme me atë të marsit 2004.
“Na e ka bërë të qartë se KFOR-i do të mbrojë popullatën civile dhe se nuk do të kursehet për të ndaluar turmat e ngjashme si ato të vitit 2004”, i ka thënë Kohës Ditore një zyrtar i lartë i institucioneve të Kosovës.
Sipas gazetës, KFOR-i e vlerëson eksplodimin që mori jetën e Selver Haradinajt si të izoluar dhe pa prapavijë ndëretnike. Ndërsa, paralajmërimet janë bërë në takimet e shumta të zyrtarëve të KFOR-it me ministra, me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe me presidenten Atifete Jahjaga. Mesazhin, veç të tjerash, e ka sjellë në Kosovë komandanti i NATO-s në komandën e Napolit, admirali Bruce W. Clingan.
Paralajmërimet e NATO-s janë vënë në praktikë në natën mes të enjtes dhe të premtes, kur një patrullë e njësisë speciale të PK-së, ROSU, që ishte nisur nga Peja si përforcim për njësinë në Mitrovicë, është përcjellë nga KFOR-i, duke u kujdesur që të mos lejojnë nisjen eventuale të tyre për në veri.