Ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi, nuk i ka bërë shumë përshtypje afati prej dy javësh i dhënë nga Komisioni i punëve të brendshme për shtrirje të rendit dhe ligjin në veri. Ai thotë se nuk e ka obligim t’i japë llogari këtij komisioni derisa pohon se nëse ka rekomandime të zbatueshme do t’i marrë parasysh. Ai e pranon se nuk kanë pasur bashkëpunim të mirë me KFOR-in dhe EULEX-in të cilat sipas tij kanë dështuar në disa raste.
Bajram Rexhepi, ministër i Brendshëm e ka marrë me qetësi afatin kohor që ia ka dhënë Komisioni i punëve të brendshme, për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.
Në një intervistë dhënë KTV-së, Rexhepi ka deklaruar se nuk është komisioni në fjalë ai që i cakton atij afate dhe atij, thotë se nuk e ka obligim t’i japë përgjegjësi.
I shumëkritikuari i kohës së fundit thotë se ende nuk ka asgjë zyrtare nga Komisioni..., por nëse ka rekomandime të zbatueshme do t’i marrë parasysh ato, kurse llogari thotë se i jep vetëm kryeministrit.
Rexhepi ka pranuar se kohët e fundit nuk kanë pasur bashkëpunim aq të mirë me KFOR-in dhe EULEX-in, të cilat sipas tij kanë dështuar në disa raste.
Ai ka një shpjegim edhe për atë se pse nuk ka pika statike të policisë në veri.
Rexhepi thekson se policia patrullon në atë pjesë, derisa vendosjen e kontejnerëve e ka quajtur punë teknike.
Ndërkohë të shtunën në lagjen “Tre rrokaqiejt” në veri janë vënë re masa të shtuara të KFOR-it, të cilët kanë patrulluar në të pjesë të vendit.
Aty shihet se janë vendosur autoblinda të paqeruajtësve, gjë të cilën e kishin kërkuar edhe banorët e kësaj pjese.