Shqiptari pranon fajësinë për terrorizëm

Agron Hasbajrami, një qytetar shqiptar 27 vjeçar me banim në Bruklin të New York-ut, pranoi fajësinë në një gjykatë të New York-ut për tentativë mbështetjeje të grupeve terroriste.

Hasbajrami përballet me deri në 15 vjet burgim. Si kusht për deklarimin e fajësisë, Hasbajrami ka rënë dakord që të deportohet nga Shtetet e Bashkuara.
Njoftimi u bë i ditur nga prokuroria e New York-ut. Sipas dokumenteve të gjykatës Hasbajrami ishte përpjekur të shkonte në rajonet fisnore të Pakistanit për t’u bërë pjesë e një grupi radikal xhihadist.
Po ashtu ai kishte dërguar mbi 1 mijë dollarë në transaksione të ndryshme jashtë Amerikës për të mbështetur aktivitetet terroriste në Pakistan dhe Afganistan.
Hasbajrami kishte shkëmbyer mesazhe elektronike me një individ në Pakistan që i kishte thënë se ishte anëtar i një grupi të armatosur që kishte vrarë ushtarë amerikanë.
Për të ruajtur fshehtësinë e komunikimit, Hasbajrami dhe individi tjetër në Pakistan përdornin adresa të ndryshme emaili. Në një mesazh ai shprehej se ishte e vështirë t’u kërkonte para myslimanëve të tjerë sepse ata distancoheshin kur ai u thoshte se i donte për xhihad.
Më 5 shtator 2011, Hasbajrami bleu një biletë pa kthim për në Turqi dhe nga komunikimet e tij me email rezultonte se ai do të shkonte në zonat fisnore kufitare të Pakistanit.
Të nesërmen ai u arrestua në aeroportin John F. Kennedy në New York. Pas arrestimit në banesën e tij u gjet mes të tjerash një shënim ku thuhej “mos prit për pushtimin, është koha për martirizim”.