Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, u ka bërë thirrje të gjithë votuesve shqiptarë të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
“Unë përsëri, tani edhe zyrtarisht, u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që më 6 maj të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe, sepse qeveria qendrore në Beograd me vite nuk po tregon se është e interesuar për ndryshimin e pozicionit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, ka thënë Mustafa në një tubim të Partisë Demokratike Shqiptare në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, transmeton Zëri.
Ai po ashtu ka thënë se shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, çështjen e fatit të tyre duhet ta zgjidhin në Prishtinë dhe Tiranë, sepse një mënyrë e tillë, sipas tij, është rruga më e shkurtër drejt Bashkimit Evropian.
Më herët është raportuar se katër nga gjashtë parti shqiptare në Luginë do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe me listën “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.