Komisioni për siguri rekomandon masa për veriun

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, rekomandon Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, për të ndërmarrë masa konkrete për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

 Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, tha se Komisioni, pasi ka shqyrtuar situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veri, ka marrë vendim që t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, me disa rekomandime për të ndërmarrë masa konkrete për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në këto komuna.
Komisioni rekomandon MPB-në dhe Policinë e Kosovës të dëshmojnë përmbushjen e misionit për vendosjen e rendit dhe kushtetutshmërisë pasi pavarësisht situatës së ndjeshme dhe specifikave që ka shteti i Kosovës, institucionet e saj duhet të marrin vendime dhe të çojnë përpara gjërat me interes për qytetarët e vendit.
Po ashtu rekomandohet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët të cilët mund t’iu nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë apo dhunës, si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar.
Komisioni vlerëson se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Qeverinë dhe organizmat tjerë përgjegjës, duhet të ndërmarrin hapa konkret që të sigurohet jeta, prona dhe lëvizja e lire në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës në mënyrë që të parandalohet vendosja e ligjit në duar të individëve.
Ndërkaq, 15 ditë pas pranimit të këtyre rekomandimeve, ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, obligohen të raportojnë në Komision, për situatën në tri komunat veriore të Kosovës. Andaj, sipas komisionit, ata urgjentisht duhet të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa që të sigurojnë zbatimin e Kushtetutës në tërë territorin e Republikës së Kosovës.