Sekretari i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjidhja e ofruar nga Plani i Ahtisaarit, por pa iu përmendur emri, të jetë e mundshme për veriun.
Zyrtari që prej pasluftës ka përfaqësuar serbët edhe në institucionet e përkohshme të Kosovës, ka thënë se çdo zgjidhje për veriun do të pranohet vetëm me pajtimin e Beogradit.
“Kurrfarë iniciative që vjen nga Prishtina nuk has në besimin e qytetarëve të veriut”, ka thënë ai për Koha Ditore. “Dyshoj që iniciativat e njëanshme mund të shtyhen përpara. Rruga e vetme për zgjidhjen është dialogu, ndërsa versioni përfundimtar i marrëveshjes duhet të vijë nga Beogradi, ngase në të kundërtën mund të mos pranohet për shkak të mosbesimit kaq të madh”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë dhe ai i Francës kanë thënë se zgjidhja për veriun e Kosovës duhet të përmbajë Ahtisaarin, por pa e përmendur emrin e tij, për shkak të refuzimit që serbët kanë ndaj pavarësisë së Kosovës që ishte pjesë e asaj pakoje.
Ivanovic ka thënë se është e vështirë të besohet se adresimi i çështjes së veriut do të mund të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, ashtu siç kanë paralajmëruar diplomatët ndërkombëtarë.
“Çështja e veriut është një çështje e hapur dhe e rëndë dhe ajo mund të vijë në rend të ditës vetëm atëherë kur që të dyja palët janë të gatshme”.