Hoxhaj ngushëlloi ministren pakistaneze

Pas tragjedisë, ku humbën jetën 130 ushtarë pakistanezë, nga një ortek dëbore në rajonin e Gajarit në Himalaje, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ministres së Punëve të Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar.

Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, Hoxhaj i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta ministres pakistaneze, duke theksuar pikëllimin e qytetarëve të Kosovës për këtë tragjedi të shkaktuar nga forcat natyrore.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu, ka shprehur solidaritetin e plotë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës me familjarët e viktimave, Qeverinë dhe popullin pakistanez, në këto ditë të vështira.
Hoxhaj ka shprehur konsideratat më të larta për autoritetet pakistaneze për përpjekjet që po bëjnë për tejkalimin e kësaj situate tragjike.