Ajo që kishte shpallur zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, aktualisht edhe ushtruese e detyrës së presidentes, Slavica Djukic - Dejanovic, tash është bërë pishman dhe ka filluar t’i ndjej pasojat e një veprimi të tillë.
Dejanovic ka shprehur shqetësimin për mosmarrëveshjet e shfaqura ndërmjet Beogradit zyrtar dhe liderëve lokalë serbë në veri të Kosovë lidhur me zgjedhjet lokale. Ajo thotë se “paralajmërimit se disa komuna do të organizojnë zgjedhje, i vjen era e ndikimit të fortë politik nga Beogradi”.
"Mospajtimet ndërmjet Beogradit dhe disa funksionarëve në Kosovë janë mesazh i keq. Përçarjet mes nesh nuk janë të mira dhe shkojnë në dëm të qytetarëve që jetojnë në Kosovë ", ka thënë Dejanovic për televizionin shtetëror serb RTS, duke potencuar se “mos mbajtja e zgjedhjeve assesi nuk nënkupton zhbërjen e institucioneve të qeverisjes lokale në Kosovë”.
Ajo ka thënë se rrethanat kanë ndryshuar në momentin kur UNMIK-u ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale.