LDK: Qeveria Thaçi e pasionuar në përgatitjen e strategjive

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi të mërkurën se Qeveria Thaçi 2 ka filluar mandatin pa ndonjë plan qeverisës, duke kërkuar kështu që të ndërpritet praktika e përgatitjes së strategjive, pasi sipas LDK-së vendit i duhet një qeveri e përgjegjshme, që ka vizion, që integron objektivat zhvillimore në një plan të përgjithshëm dhe që i orienton resurset e vendit drejt atyre objektivave.

LDK përmes një kumtese për media thekson se premtimet e dhëna gjatë zgjedhjeve asnjëherë nuk u kthyen në plan pune të qeverisë, duke pohuar se plani i vetëm që ka kjo qeveri është Plani i Bullgarisë, i përgatitur gjatë një fundjave nga disa anëtarë të kabinetit qeveritar.
“Qytetarët në veri kanë nevojë për siguri për jetë normale, e jo përgatitje të strategjive kundër krimit. Bujqit në Kosovë duhet të sigurohen se produktet e tyre do të gjejnë tregun e duhur dhe nuk do kenë pengesa për eksport të produkteve. Të papunët kanë nevojë për masa konkrete që të rrisin shpresat se një ditë do të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre. Studentët duhet të kenë shpresa se do gjejnë punë pas diplomimit, e jo t’ju drejtohen zyrave të punësimit për tu regjistruar si të papunë. Këtij vendi i duhet kthyer shpresat e humbura nga Qeveria Thaçi”, thekson LDK.
Sipas kësaj partie, përgatitja e strategjive është bërë mani për Qeverinë e Kosovës. “Gjatë vitit 2012 planifikohet të përgatiten 41 strategji të ndryshme (bazuar në Planin Vjetor të Dokumenteve Strategjike për vitin 2012 të Qeverisë së Kosovës)”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.