Me shumë task forca, këshilla e agjenci, vendi vazhdon të mbetet në listën e zezë. Të gjitha këto, pa llogaritur Misionin e EULEX-it, shkruan “Express”.
Këto janë institucionet e shtetit të Kosovës, të cilat kush më shumë e kush më pak, detyrë kanë luftën kundër korrupsionit.
Dhe duket se nuk janë pak. Tash për tash, janë së paku nëntë të tilla. Por ka paralajmërime për të krijuar edhe të tjera.
Disa prej tyre janë të krijuara në bazë të Kushtetutës, siç zakonisht një shtet duhet t’i ketë, por disa të tjera janë themeluar mbi bazën e vendimeve të ndryshme.
Për të njëjtën punë, Qeveria e Kosovës ka krijuar Task Forcë, Prokuroria e Shtetit një tjetër, e tash së fundi një Këshill e ka formuar edhe Presidentja e vendit.
Numri i madh i këtyre mekanizmave, ndoshta do të ishte i justifikueshëm, sikur në fund, rezultatet të tregonin se korrupsioni së paku ka shënuar trend të rënies.
Por, përkundrazi. Britmat që ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i bëri para disa javësh për këtë fenomen është një nga përgjigjet për sukseset e këtyre task forcave.
Shkurt e anglisht, Dell tha hapur se bashkë me ardhjen e pranverës, lulet e korrupsionit kanë nisur të çelin edhe në Qeveri.