Bordi i Korporatës Energjetike të Kosovës tash e disa javë ka marrë vendim që blloku A-2 i termocentralit “Kosova A” të rikthehet në punë pas një periudhe pushimi prej 10 vjetësh. Vendimi, sipas zëdhënësit të kësaj korporate, Viktor Buzhalës, është marrë një muaj më parë. E për të gjitha detajet tjera që kanë të bëjnë me riaktivizimin e këtij blloku do të mbahet një konferencë për media pikërisht në hapësirat e këtij blloku.
KEK-u aktualisht ka në sistem tre nga pesë blloqet e TC “Kosova A”, përkatësisht njësitë A-3, A-4 dhe A-5. Njësia A-1 nuk ka punuar pas lufte, ndërsa njësia A-2 është ndalur para 10 vjetësh. “Riaktivizimi i njësisë A-2 do të ulë në masë të madhe nevojën për import të energjisë elektrike, duke kursyer dhjetëra milionë euro në vit”, thuhet në njoftimin që KEK-u e ka lëshuar si njoftim për media.
“Riaktivizimi i njësisë A-2 do të rrisë kapacitetet e gatshme për prodhim të energjisë elektrike në 1000 megavat-orë. Riaktivizimi i saj do të bëhet në përputhje të plotë me normat e emisionit të BE-së, njëjtë si po veprohet edhe në elektrofiltrat e tri njësive aktive të këtij termocentrali”, thuhet tutje në njoftimin e KEK-ut.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se ajo po e mbështet Kosovën në përmbushjen e obligimeve të veta dhe në zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian, të cilat janë pjesë e Traktatit të Bashkësisë së Energjisë, të cilat duhet të zbatohen edhe në Kosovë. E një nga standardet që Kosova duhet të zbatojë është edhe mbyllja e “Kosovës A”, e cila sipas Zyrës së BE-së “ka marrë seriozisht zotimin për ta mbyllur “Kosovën A” deri më 2017”.
“Duke ditur shumat financiare që KEK-u shpenzon në import të energjisë për çdo vit, është e arsyeshme që të zbatohet një plan për rritjen e kapacitetit gjenerues vendor, siç është riaktivizimi i bllokut A-2”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, shkruan Koha Ditore.
Rivitalizimi i bllokut A-2 do t’i kushtonte KEK-ut rreth 100 milionë euro. Rivitalizimi nënkupton që emisioni i CO2 të jetë brenda kufijve të lejuar nga BE-ja. Planifikohet që blloku A-2 të prodhojë afro 150 megavat për orë.