Kadriaj: Ministri Agani po e mashtron opinionin publik

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, i cilëson si manipuluese deklarimet e ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, në lidhje me çështjen e trajtimit nga mjeket femra të femrave shtatzëna, të mbuluar.

Ajo ka thënë se nuk është hera e parë që ministri Agani shprehë tendenca të hapura për të manipuluar me besimtarët e fesë islame.
Kadriaj ka pohuar se këto veprime, nga ana e ministrit, janë skandaloze, të turpshme dhe pa etikë, as mjeksore e as fetare.
“Ministri Agani, në intervistën dhënë Tribunës Shqiptare, në mënyrë të turpshme tenton të tërhiqet nga vendimi i tij që femrat shtatzëna, me mbulesë, të trajtohen nga mjeket femra. Aludimi i ministrit se nuk ka marrë vendim, por ka bërë kërkesë që të respektohet ligji, është edhe manipulim e edhe mashtrim tendencioz”, deklaron deputetja Kadriaj.