Edhe Kosova edhe Evropa - iluzion i Serbisë

Premtimet se Evropa dhe Kosova do të mbeten shtyllat e politikës së jashtme serbe janë joreale dhe paraqesin riciklimin e ideve të vjetra, të destinuara publikut zgjedhor, vlerësojnë analistët e politikës së jashtme në Serbi.

Duke reaguar ndaj deklaratës së ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremic se dy prioritet kryesore diplomatike të Beogradit do të jenë Bashkimi Evropian dhe Kosova, analistët politikë Vatroslav Vekaric dhe Bojan Brkic kanë shprehur dyshim nëse kombinimi i këtyre dy objektivave do të mund të ndodhë në realitet pas zgjedhjeve.
"Mbase ekziston bindja se kjo ishte një linjë e mirë. Këto deklarata dhe paraqitje të politikanëve, pavarësisht nga cila anë vijnë, pretendojnë ta thonë atë që do të pranojë shumica e qytetarëve," tha Vekaric, duke vlerësuar kjo është konceptim joreal që pas zgjedhjeve do të shkojë në drejtim "racional".
Pozicioni i Brukselit dhe qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare me rastin e organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë po dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërmarrë mjaft hapa diplomatikë për të stabilizuar situatën në Kosovë, tha Bojan Brkic, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
"Beogradi ka arritur marrëveshje të rëndësishme me Prishtinën dhe BE-ja, si një ndërmjetësues, pret përpjekje shtesë nga Beogradi për zbatimin e këtyre marrëveshjeve", tha Brkic, citojnë mediat serbe.
Ai vuri në dukje se është indikativ fakti se Gjermania dhe Austria dërgojnë trupa shtesë të KFOR-it në Kosovë në mbështetje të ruajtjes së stabilitetit me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, që krijon përshtypjen se Serbia në njëfarë mënyre shihet si kërcënim për stabilitetin në Kosovë.
"Nëse Serbia mendon se me veprimet e saj diplomatike, çfarë është duke aplikuar, çojnë në përmirësimin e situatës në Kosovë dhe integrimin e saj evropian, atëherë unë mendoj se dikush është thellë në lajthitje", tha Brkic.
Shikuar nga aspekti strategjik,Serbia nuk mund të llogaris se edhe Evropa edhe Kosova mund të jenë prioritetet e politikës së jashtme të saj, vlerësoi Brkic.
"Sigurisht se në një moment edhe kursi i mbrojtjes së Serbisë do të jetë gjithnjë e më shumë i varur nga marrëdhëniet me NATO-n, ndoshta edhe do të diskutohet për anëtarësimin e Serbisë në aleancë, kështu që insistimi në një kundërshtim qoftë Bashkimit Evropian qoftë NATO-s lidhur me Kosovës, në një perspektivë afatgjatë duket shumë i pamundur", tha Brkic.