E mbështesin në Facebook

Përkrahësit e Fatmir Sejdiut kanë nisur një fushatë për ta rikthyer atë në pozitën e Presidentit, përmes Facebookut. E në profilin personal Sejdiu është marrë me LDK-në. Ai ka kritikuar zhvillimet në këtë parti duke thënë se po bëhen përpjekje për të anashkaluar njerëzit që kanë qene bartës të barrës kryesore në këtë subjekt.

 Ende pa filluar fushata elektorale dhe pa u publikuar emrat e e kandidatëve për të parin e shtetit disa simpatizantë të Sejdiut kanë hapur një faqe në Facebook në të cilën kanë shkruar “Dr.Fatmir Sejdiu për President”, shkruan Express.
Partitë politike, pra as LDK-ja, ende nuk kanë publikuar emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë për të udhëhequr shtetin. Mirëpo, Sejdiu asnjëherë nuk e ka mohuar mundësinë që të kërkojë votën e drejtpërdrejtë për t’u rikthyer në pozitën ë Shefit të Shtetit.
Por, Sejdiu vazhdon të ketë mospajtime me lidershipin aktual të partisë së tij.
Në profilin e tij në Facebook ai e ka postuar një deklaratë, në të cilën shpreh pakënaqësinë e tij me reformat në LDK, duke thënë se nuk ka shenja të mira.
“Nuk besoj se kaq shenja të mira, sidomos tani në këtë qasje të tanishme, që në një apo në një formë tjetër ka elemente të përpjekjeve të anashkalimit të njerëzve që kanë qenë bartës të barrës, apo përgjegjësive të mëdha të zhvillimeve të LDK-së në proceset e kaluara”, thuhet në tekstin e botuar në Facebook.