Adem Salihaj, dëshmitar në rastin e gjykimit të njohur së Rasti Bllaca 2 dje, sapo ka dalë nga salla e gjykimit është kontrolluar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe është mbajtur për rreth 20 minuta nga ata. Ai deklaroi se ka refuzuar të kontrollohej pa urdhër të gjyqtarit, për gjoja armë që mbante me vete. Salihaj ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka lidhje me krim të organizuar.
“Pasi përfundoi seanca, në korridor me ndali Policia dhe më futën në një dhomë. Më thanë se kanë një informatë që unë jam i armatosur, kam revole”, ka treguar Salihaj. “Unë kërkova me këmbëngulje që ta di se kush e dha këtë urdhër dhe kërkova ta di se kush janë këta persona. Ata ishin me jelekë dhe nuk shihej asnjë numër i tyre”.
Ai e ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka lidhje me krimin e organizuar dhe këtë veprim e ka quajtur skandaloz.
Ai e ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka lidhje me krimin e organizuar dhe këtë veprim e ka quajtur skandaloz.
“Ishte shumë e qartë se ishte një veprim i koordinuar, i orkestruar që të më paraqesin mua kriminel, njeri të armatosur që i rrezikoj të tjerët dhe kriminelët të paraqiten si viktima”, ka thënë dëshmitari Salihaj, i cili është kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj dhe anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së.
Sipas tij kontrollimi pa urdhër të gjyqtarit është vazhdim i frymës që sipas tij ka zgjatur me vite. “Unë them me bindje të plotë se Policia e Kosovës është e infektuar deri në palcë nga krimi i organizuar dhe nga SHIK-u”, ka thënë Saliahaj, transmeton Koha.net.
E, pikërisht si pjesëtarë të SHIK-ut po gjykohen gjashtë persona. Ata po akuzohen për vepra të ndryshme të denoncuara nga Nazim Bllaca.