Një telefon mobil i harruar në vendin e ngjarjes i ka ndihmuar Policisë së Kosovës që të arrestojë tre të dyshuarit, që ishin futur në shtëpinë e familjes Kçiku nga Gjilani për të plaçkitur. Me këtë rast të dyshuarit në tentim për të ikur kishin ther me thikë Hysen e Hajredin Kçikun. I pari nga plagët e marra ka vdekur në vendin e ngjarjes, përderisa vëllai i tij po trajtohet në QKU.
Dy ditë përpara kishin planifikuar që së bashku si grup të hynin dhe të plaçkitnin kudo dhe çka do. Ia kishin mësyer një shtëpie të familjes Kçiku, ku për dy ditë kishin planifikuar se si të hynin brenda saj. Ishin sjellë lagjes dhe përreth saj me një skuter duke e vëzhguar terrenin.
Më 12 mars rreth orës 1 e 20 të natës, që të tre realizuan planin e tyre duke u futur në shtëpinë e familjes Kçiku nga Gjilani.
Fillimisht ata besohet se kishin hyrë nga garazha, ani pse Hajredin Kçiku tash sa kohë jeton në këtë shtëpi.
Tërë rrëfimin se si ka ndodhur vrasja e Hysen Kçikut dhe plagosja e rëndë e Hajredin Kçikut nga tre personat një i mitur dhe dy të tjerë, e kanë sqaruar për gazetën Express burime të afërta me hetimet.
Sipas këtij burimi, Leutrim e Liridon Zeqiri dhe Florim Leci pasi ishin futur në shtëpinë e familjes Kçiku, kishin tentuar të merrnin çdo gjë që u dilte përpara, përderisa Hajredin Kçiku kishte dëgjuar një zhurmë.
“Ata derisa po lëshoheshin shkallëve poshtë, kanë hasur Hysen Kçikun dhe vëllain e tij Hajredinin. Në tentim për të ikur, të tre personat kishin filluar përleshjet me të dy vëllezërit. Tre të dyshuarit kishin nxjerrë thikat dhe boksat e hekurit”, ka treguar burimi i gazetës.
Ai ka sqaruar se njëri nga të dyshuarit në tentim për të ikur ka qëlluar disa herë më thikë tashmë të ndjerin Hysen Kçiku dhe vëllain e tij Hajredinin.
“Ata pasi kishin ther me thikë të ndjerin dhe vëllain e tij, kishin arritur të iknin pa ditur se çfarë ka ndodhur”, sqaron ai.
Hyseni, sipas burimit, kishte mbetur i shtrirë, përderisa vëllai i tij me plagë në trup ishte munduar që të ngre zvarrë vëllain e tij duke tentuar që ta fuste brenda në shtëpi.
Tre të dyshuarit, rrëfen burimi, kishin ikur nga vendi i ngjarjes në këmbë.
“ Ata kanë qenë jo të maskuar dhe pas veprës që kishin kryer, kanë arritur të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes’, thotë ai.
Por, ka qenë një telefon mobil që tre të dyshuarve u kishte rënë në hyrje të shtëpisë së familjes Kçiku, që i ka ndihmuar Policisë së Kosovës që të arrestojë ata.
“ Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur telefonin mobil që dyshohej se ishte i Florim Lecit. Më pas policia kishte thirrur numrat e mbetur në telefon duke arritur që të identifikojë të dyshuarit e tjerë”, thotë burimi.
Ai ka thënë se pas kësaj, policia ka arritur që pas tri orësh të arrestojë tre të dyshuarit, secilin veç e veç nëpër shtëpitë e tyre.
“ Fillimisht policia e mbështetur edhe nga njësia speciale ka shkuar në shtëpinë e Florim Lecit, ku ka takuar nënën e tij, e cila ka konfirmuar se telefoni mobil ishte i djalit të saj. Kanë arrestuar Florimin e më pas edhe dy të dyshuarit tjerë në fshatin Uglarë të Gjilanit”, ka pohuar burimi i gazetës.
Tri orë pasi që tre të dyshuarit kishin kryer veprën, policia ka arritur t’i arrestojë ata.
“ Ata po mbahen në paraburgim, asnjëri nga ta nuk e pranon se ka kryer vrasje. Secili nga ta pohon se kanë qenë duke bërë roje, derisa shokët e tyre kanë qenë brenda shtëpisë”, shkruan gazeta.
Policia ka thënë se ka konfiskuar thika dhe boks metali me të cilat dyshohet se të dyshuarit kishin kryer veprat penale.