Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi, nga 29 marsi i këtij viti do të bëhen zyrtarisht aksionarë të Hotelit “Grand”. Këta dy janë bashkuar duke dhënë garancinë bankare prej 20 milionë eurove dhe duke bindur Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) se i kanë plotësuar të gjitha kushtet.
Burime të Gazetës “Lajm” brenda AKP-së kanë bërë të ditur se Pacolli dhe Ejupi do të shpallen aksionarë legjitimë më datën 29 mars, kur edhe do të jepet vendimi përfundimtar për fatin e këtij hoteli. “Dokumentet e sjella për herë të parë nga Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi nuk kanë arritur ta bindin komisionin e AKP-së. Kjo për faktin se ka pasur disa mungesa në draftin e dërguar. Për këtë edhe është shtyrë vendimi deri më datën 29. Por, me këtë datë këta dy do të shpallen aksionarë legjitimë, pasi që tani është dërguar garancioni bankar dhe dokumentet e korrigjuara ashtu si është kërkuar nga komisioni i AKP-së”, ka thënë burimi brenda AKP-së.
Ai më tutje ka bërë të ditur se pasi këta dy të bëhen aksionarë të hotelit, kanë mundësi edhe ta ndërrojnë pronarin.“Nëse ata pajtohen mund të ketë edhe ndërrim të pronarit të këtij hoteli. Kjo mund të bëhet pasi që kanë ofruar garancionin prej 20 milionë eurove dhe me këtë mund të bëjnë edhe ndryshime tek pronari aktual”, ka shpjeguar burimi për gazetën.
Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), nuk kanë dashur të flasin shumë për këtë çështje, pasi sipas tyre, të gjitha janë thënë në komunikatën e dërguar dhe vendimi do të bëhet publik në datën e caktuar.
“Nuk kemi çka të themi më shumë. Komunikata i thotë të gjitha, në të është e cekur edhe data 29, kur do të shpallet vendimi përfundimtar. Deri atëherë ne nuk mund të shtojmë asgjë tjetër”, ka thënë Ylli Kaloshi, zyrtar për informim në AKP.
Hoteli “Grand” ishte privatizuar me një çmim prej rreth 8 milionë eurosh, me zotimin se për dy vjet do të investoheshin rreth 20 milionë euro si dhe do të punësoheshin mbi 400 punëtorë. Ndërkohë, si pronar i vetëm qe shpallur Zylqif Berisha, derisa më vonë dolën si pretendentë për 60 për qind të aksioneve në hotel, përfaqësuesi i “Eurokohës”, Remzi Ejupi dhe asokohe ai i “Mabetexit”, Behgjet Pacolli.