Jahjaga: Siguria për gruan, siguri për tërë shoqërinë

Presidentja e vendit, Atfiete Jahjaga deklaroi të martën se një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht. Ajo vlerësoi se e drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht është thelbësore për zhvillimin e shoqërisë.

Jahjaga këto komente i bëri në konferencën “Java e gruas”, të organizuar nga NDI.
Ajo u shpreh se në samitin e Grave lidere në botë të mbajtur në New York, ka insistuar se asnjë shoqëri nuk është e sigurt nëse pjesëtarët e saj, në veçanti gratë, nuk janë të sigurta. Sipas saj, siguria për gruan nënkupton siguri për fëmijën, siguri për familjen dhe siguri për tërë shoqërinë.
“Atë që ne e kemi mësuar gjatë gjithë kësaj kohe në takimet me gratë në botë është se: një vend mund të përparojë nëse gruaja është e përparuar. Një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht. E drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht në shoqëri është thelbësore për zhvillimin e kësaj shoqërie dhe të gjithë ne edhe burrat edhe ne gratë kemi përgjegjësitë tona për ndërtimin e vizionit për familjen dhe për vendin tonë”, thekson Jahjaga.
Ajo vlerëson se gratë mund të jenë të jenë udhëheqëse dhe shembull i suksesit për të mirën e gjithëmbarshme shoqërore.
“Më lejoni t’i përmend dy shembuj nga skena ndërkombëtare - dy mike të Kosovës, sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton dhe ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright. Ato janë ndër udhëheqëset e para në botë, që me aftësitë e tyre diplomatike dhe me guximin e marrjes së vendimeve të mëdha kanë ndikuar në ndryshimin e realitetit politik në botë, duke i hapur perspektivë demokracisë në vendet me sisteme totalitare”, shprehet ndër të tjera presidentja.
Ajo më tej theksoi se në Kosovë puna dhe përgjegjësia jonë si shoqëri ndaj gruas është larg të qenit e përfunduar. Sipas saj, gruaja në Kosovë vazhdon të jetë në pozitë të vështirë dhe të pafavorshme, e goditur në vazhdimësi nga varfëria dhe dhimbjet e një jete me mungesa të mëdha.
“Për të përmirësuar gjendjen dhe ngushtuar hapësirën për diskriminimin e gruas duhet patjetër t’i japim një shtytje më të madhe emancipimit dhe arsimimit të gruas në Kosovë, si e drejtë e pamohueshme njerëzore”, potencoi Jahjaga.