Britaniku Geoffrey Butler është shpallur fajtor nga gjykata pasi i kishte keqtrajtuar fqinjët e tij gjermanë me muzikë nga Lufta e Dytë Botërore dhe me përshëndetje naziste.
Arsimtari i matematikës, 54-vjeçar, për katër vite të tëra nuk i kishte lënë të qetë fqinjët e tij Reinhard dhe Kathryn Wendt duke imituar përshëndetjen naziste dhe mustaqet e Hitlerit, duke lëshuar fjalimet e Winston Churchill dhe duke lëshuar këngë patriotike britanike, si "Rule Britannia" (“Sundo Britani”).
Avokati i çiftit Wendt kishte thënë se raportet e fqinjëve janë prishur që në momentin kur ata ishin shpërngulur në një shtëpi pranë Butler në Lower Upnor në jug të Anglisë.
Në fakt, Butler dhe Wendt kishin pasur mosmarrëveshje rreth një pjesë të vogël toke, ashtu që britaniku vendosi që fqinjëve të tij t’ua bëjë jetën sa më të hidhur.
Butler është dënuar tre vite me kusht, ndërsa mes tjerash e ka të ndaluar që të lëshojë muzikë me zë të lartë.