Përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë dhe ata të Kosovës, të cilët marrin pjesë në takime rajonale, do të jenë të detyruar të lexojnë tekstin e fusnotës, për të cilën janë marrë vesh në Bruksel.
Praktikisht, formulimi se Kosova përfaqësohet pa prejudikim të vendimit për statusin, në bazë të Rezolutës 12 44 dhe të Mendimit këshillëdhënës të GJND-së, nuk do të mbetet vetëm shpjegim për yllin në fletën prezantuese të Kosovës, por ajo do të lexohet edhe me zë, shkruan sot “V. Novosti” i Beogradit.
Ky është udhëzimi zyrtar të cilin javën e ardhshme do ta miratojnë ministrat serbë i cili do të jetë i detyrueshëm automatikisht për ta.
Njëherësh me këtë shfuqizohet rregulla e deritashme e Qeverisë, sipas të cilës zyrtarët e Serbisë duhej të braktisnin mbledhjet rajonale nëse në to merrnin pjesë përfaqësues të Kosovës. Por, mbetet edhe më tutje në fuqi instruksioni, sipas të cilit zyrtarët qeveritarë të Serbisë e kanë për detyrë që edhe në të ardhmen të braktisin mbledhjet që nuk janë rajonale dhe në to shfaqen përfaqësuesit e Kosovës.
Kjo do të thotë, siç shkruan “V.Novosti”, se Kosova nuk do të mund të marrë pjesë as me yllin (bëhet fjalë për fusnotën ) në mbledhjet e OKB-së, OSBE-së, Këshill të Evropës dhe organizatat e tjera të përbëra nga shtetet e pavarura.