Forumi Këshillues për pakon ligjore antikorrupsion, që përbëhet nga 10 OJQ, ka kundërshtuar Projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Besnik Ramadanaj, nga KDI-ja, ka thënë se kështu siç është ky projektligj nuk duhet të procedohet më tutje, sepse këto fusha, sipas tij, tashmë janë të rregulluara me Kodin Penal të Kosovës. Për këtë, Forumi i ka paraqitur 4 përfundime që ia ka drejtuar edhe Ministrisë së Drejtësisë, raporton KTV.
Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu” ka thënë se fillimisht duhet të ndryshohet emri i këtij ligji nga “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale” në “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme”.
Ai po ashtu ka thënë se barra e provës për të vërtetuar ligjshmërinë e pasurisë së fituar duhet të bie mbi të dyshuarin e jo mbi institucionet publike. Propozimi i tretë ishte që ligji të zbatohet në mënyrë retroaktive dhe të krijohen mekanizmat policorë, gjykata e prokurori për të zbatuar në mënyrë efikase ligjet e kësaj fushe.