Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka deklaruar se shpallja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk është në pajtim me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kocijancic përmes një deklarate për media ka thënë se zgjedhjet janë një rast që qytetarët e Serbisë të realizojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të vendosin për fatin e vendit të vet, mirëpo sipas saj, zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë në pajtim me obligimet ndërkombëtare të Serbisë, e sidomos me Rezolutën 1244.
Mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë e kanë kundërshtuar fuqishëm edhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën, Samuel Zbogar, thotë se zgjedhjet lokale serbe mund ta përkeqësojnë situatën dhe jo të zgjidhin problemet.
“Bashkimi Evropian nuk ka fuqi që të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve askund. Por, ajo që dua të them është se asnjë problem nuk mund të zgjidhet me vendime unilaterale. Problemet mund të zgjidhen me dialog dhe konsultime. Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë nuk do të na ofrojë ka dialogu, por do të përkeqësojë situatën”, thotë Zbogar.
Analistët politikë në Prishtinë, thonë se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë është një përpjekje për forcimin e strukturave paralele serbe.
Më e zëshmja në këtë linjë, ishte qeveria gjermane, e cila sipas ambasadorit gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, vazhdon të mbajë qëndrimin për shuarjen e strukturave paralele serbe.
Gjatë një ligjërate ditë më parë në një universitet të Prishtinës, Reichel theksoi se edhe pse Serbia tashmë fitoi statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, çështja e institucioneve paralele serbe në veri do të kthehet tek ne dhe tek Serbia.
"Në fund është nevoja që të kemi një gjendje në Ballkanin Perëndimor ku Kosova nuk është më një pikë e konfliktit dhe debatit”, thotë ai.
Ndërkaq, i ngarkuari me punë i Ambasadës Gjermane , Mathias Kiesler, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nënkupton shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
“Ambasada Gjermane përshëndet paralajmërimin e kryetares së Parlamentit dhe Presidentit serb që zgjedhjet e planifikuara për t’u mbajtur më 6 maj, duhet të jenë në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Serbisë... Mirëpo mbajtja e zgjedhjeve komunale në Republikën e Kosovës do të nënkuptonte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, e veçanërisht të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244. Është një hap i drejtë që Serbia, lidhur me këtë dëshiron të konsultohet me të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare“, thuhet në qëndrimin e të ngarkuarit me punë në Ambasadën Gjermane, Mathias Kiesler, lidhur me paralajmërimet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Ndërkaq, referuar një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Britanisë, ministri britanik për Çështje Evropiane, David Lidington ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se zgjedhjet serbe në Kosovë ndalohen sipas Rezolutës 1244. Ai ka shtuar se në Kosovë nuk do të ketë një tjetër Republika Srpska, sepse gabimet e Bosnjës nuk do të përsëriten në Kosovë.
Edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë është shprehur për këtë çështje. Shteti shqiptarë vlerëson se zgjedhjet serbe në Kosovë cenojnë integritetin e vendit.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë vlerëson se vendimi i Beogradit për të mbajtur zgjedhjet edhe në disa komuna të Republikës së Kosovës është i paligjshëm dhe i të papranueshëm, pasi cenon integritetin e një vendi sovran”.
Në një komunikatë për media thuhet se këto zgjedhje nuk do të kenë asnjë efekt juridik dhe personat e zgjedhur nuk do të kenë autoritet ligjor.