Ndarja e veriut dhe pjesës tjetër të Kosovës mund të tejkalohet me autonominë për veriun e Kosovës, vlerëson fondacioni “Carnege Europe”.
Bashkimi Evropian duhet të inicioj bisedime më ambicioze në mes të Beogradit dhe Prishtinës, si dhe me përfaqësues të veriut të Kosovës, me qëllim që “përmes autonomisë rajonale të tejkalohet ndarja mes veriut dhe pjesëve tjera të Kosovës”, thuhet në një publikim të fondacionit.
Krijuesi i raportit, Stefan Lehne, ish-përfaqësues i Bashkimit Evropian në negociatat për statusin e Kosovës dhe ish-drejtor i Drejtoratit të Përgjithshëm të KE-së për Çështjet e Jashtme dhe ato Politiko-Ushtarake, theksoi se rezultati i këtyre negociatave trepalëshe duhet të "vendosë një kornizë gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit, përfshirë marrëveshjet e arritura dhe përfaqësimin diplomatik, me të cilin ruhen qëndrimet e ndryshme ligjore për statusin i cili ka marrë formë sipas modelit të marrëveshjes gjermano-gjermane të vitin 1972".
"Bashkimi Evropian duhet të fillojë procesin e emërimit të një emisari të nivelit të lartë që do të udhëheq bisedimet në lidhje me këtë", thotë ai në analizën e "Carnegie Europe".
Kjo, vlerëson autori, duhet të shpie deri te “ndalimi i kundërshtimit të Serbisë për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjet e mëtejshme (të pavarësisë)".
Lehne mendon se plani katërpikësh për Kosovën i presidentit serb Boris Tadic, ka hasur në interesim të madh.
"Pjesa më interesante e kësaj iniciative – për çka zyrtarët perëndimorë në përgjithësi kanë reaguar mirë - është se me të braktiset koncepti i ndarjes, dhe ky mesazh në nivelin më të lartë mundet faktikisht të paraqes një fillim të madh të ri", thotë ai, për të shtuar se “në thelb të këtij propozimi është ideja e formimit të rajonit të Kosovës veriore, ndërsa bashkëbiseduesit serbë kanë mohuar se k6y është qëllimi i formimit të një Republike Srpska të re”.
"Ata thanë se qëllimi nuk është që të jetë një rajon i ri që ndërhyn në punët e Prishtinës, por që të reduktohet në mënyrën minimale ndërhyrja e Prishtinës në veri”, thuhet në tekst.
Në raport vlerësohet se situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar, dhe mosbesimet në mes të Beogradit dhe Prishtinës janë ende të mëdha, “për çka nuk duhet humbur kohë dhe, mbështetur në suksesin e marrëveshjeve të shkurt të 2012, BE-ja ka nevojë urgjente për të filluar një dialog më të plotë që do të adresoj çështjet në veri ku ka një shumicë serbe".
"Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, duhet ta emëroj një emisar të nivelit të lartë për të udhëhequr bisedimet”, thotë analisti i "Carnegie Europe".
Lene përfundon se "nëse serbët dhe kosovarët besojnë se në fund do të bashkohen në rrjedhën evropiane, ka gjasa të mëdha për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre".