Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Vetëvendosjes

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e grupit të deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, për kontestimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës në seancën e 20 janarit, kur Kuvendi kishte zhvlerësuar vendimin që kishte marrë më herët për aplikimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë

Në kumtesën e lëshuar thuhet se në seancën e mbajtur më 19 mars Gjykata Kushtetuese u këshillua dhe votoi për Rastin KO 05/12, „Kontestimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, të 20 janarit 2012“.
“Në këtë rast, deputeti Visar Ymeri dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, parashtruan kërkesën përmes së cilës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, i cili ndër të tjera, “mirëpriti marrëveshjet” e arritura në dialogun ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe përmes së cilit Kuvendi “e mbështeste zbatimin e tyre të Tërësishëm”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Më tej në njoftimin e Kushtetueses thuhet se “në kërkesën e tyre, parashtruesit pohojnë se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare; ata konsiderojnë që vendimi i marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishte “ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare” që kërkonte procedurën e parashikuar me nenin 18 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që ta hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme. Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë caqeve të juridiksionit të gjykatës sipas nenit 113.5 të Kushtetutës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftim.