Po të mos ndërhynte Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vitin e kaluar, institucioni mikrofinanciar KEP Trust vështirë që sot do të funksiononte. BQK-së, si rregullator i sistemit financiar në Kosovë, iu desh më shumë se një vit kohë ta mbajë nën administrim këtë institucion, në mënyrë që ta shpëtojë nga falimentimi.
Pas një viti, ky institucion financiar u “këndell” dhe Bordi i BQK-së vendosi ta heqë nga administrimi, duke zgjedhur edhe organet drejtuese. “Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 9 nëntor 2011, mori vendim për përfundimin e procesit të administrimit në institucionin mikrofinanciar KEP Trust”, thuhet në vendimin e BQK-së, shkruan Express.
Gjithçka filloi para një viti, kur KEP Trust u kaplua nga disa probleme të qeverisjes së brendshme dhe nuk arrinte t’iu përgjigjej obligimeve kontraktuale. Masa nën administrim të përkohshëm nga BQK-ja qe vendosur në janar të vitit të kaluar.