Bogdanovic: Lamtumirë zgjedhjeve serbe në Kosovë

I ashtuquajturi ministër për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, duket se ka kuptuar seriozitetin e situatës. Ai ka thënë se tashmë është e qartë se zgjedhjet lokale serbe nuk mund të mbahen në Kosovë, sidomos jo në pjesën në jug të lumit Ibër.

Bogdanovic tha se “mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë kundërshtohet nga shumë shtete, kurse për neve është me rëndësi të respektojmë ligjet tona dhe Rezolutën 12 44”.
"Fatkeqësisht, realiteti është ky. Zgjedhjet lokale nuk mund të mbahen, sidomos jo në pjesën në jug të lumit Ibër, pa mbështetjen e misioneve ndërkombëtare. Ne do t’i dërgojë një letër UNMIK-ut, me të cilin do të konsultohemi, sikurse edhe me misionet e tjera në Kosovë ", ka thënë Bogdanovic për "Novosti".
“Në mungesë të mbështetjes, neve na duhet që në mënyrë të arsyeshme dhe në qetësi të shqyrtojmë se cilat janë mundësitë që kemi në dispozicion dhe cilat janë përfitimet dhe pasojat", tha ai.
Bogdanovic tha se “Prishtina po e shfrytëzon qëndrimin e disa shteteve të fuqishme duke tensionuar situatën dhe kundërshton mbajtjen jo vetëm të zgjedhjeve lokale por edhe të atyre parlamentare serbe, mbajtjen e të cilave, nga viti 1999 askush nuk i ka vënë në pikëpyetje”.