UNMIK-i tërhiqet vetë nga konferencat rajonale

UNMIK-u do të ketë mirëkuptim për Qeverinë e Kosovës. Misioni i OKB-së ka vendosur që të tërhiqet vetë nga mekanizmat rajonalë, ku Kosova do të paraqitet si Kosovo*.

Një ditë pasi “Koha Ditore”, ka publikuar marrëveshjen e arritur në Bruksel për përfaqësimin rajonal, ku i jepet e drejta UNMIK-ut që në organizatat ku ka prezantuar Kosovën më herët të vazhdojë të ftohet dhe të jetë palë edhe më tutje, misioni i OKB-së ka marrë qëndrim që të lehtësojë zbatimin e konkluzioneve.
“Për ne është me rëndësi që ta shohim Kosovën të përfaqësohet në nismat rajonale. Ne nuk kemi interes që të marrim pjesë në takime kur ka alternativa të përfaqësimit të Kosovës, për çka pajtohen të gjitha palët”, ka thënë Oliver Slagado, zëdhënës i UNMIK-ut.
Misioni i OKB-së, sipas zëdhënësit, është i interesuar që të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes, shkruan “Koha Ditore”.
Por falënderues për vetëtërheqjen e UNMIK-ut nuk është treguar të martën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se UNMIK-u nuk do të jetë as në korridore të takimeve dhe nuk e ka komentuar pikën e gjashtë të marrëveshjes në Bruksel, që ia mundëson UNMIK-ut prezencën.