Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka deklaruar se procesi për funksionalizimin e Institutit të Onkologjisë ka qenë tërësisht në binarë. Por ai tha se kërkesa nga prokurorja e EULEX-it, ka bërë që ky proces të ndërpritet. Nga ana tjetër, EULEX’i nuk ka pranuar të komentojë nëse është duke e hetuar këtë rast.
Kanë kaluar më shumë se një vit nga fillimi i punës së Institutit të Onkologjisë, por në këtë qendër ende mungojnë shërbimet e radioterapisë. Edhe pse matjet nga Instituti i Mjekësisë së Punës tregojnë se kushtet në aspektin e rrezatimit lejojnë aplikimin e radioterapisë, drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se me rekomandimin e EULEX-it, procesi i funksionalizimit të këtij instituti është ndërprerë, derisa të sigurohet se objekti i këtij instituti është plotësisht i sigurt nga rrezatimet.
Shefja e Departamentit të Onkologjisë Mjekësore, Dr. Mejreme Krasniqi tha se mosfunksionalizimi i Institutit ka bërë që edhe më tutje pacientët që kanë nevojë për shërbime të radioterapisë, të bredhin rrugëve. “Kjo e vështirëson për së tepërmi punën, kjo e ka vështirësuar punën me vite të tëra. Për fat të keq, jemi instituti i vetëm onkologjik që i kemi dy akceleratorë, aparatura mjaft të mira të sofistikuara, ndërsa pacientët tanë duhet të bredhin rrugëve, të paguajnë shuma të mëdha parash”, ka thënë ajo për Kosovapress.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani thotë se procesi për funksionalizimin e Institutit të Onkologjisë ka qenë tërësisht në binarë, por kërkesa nga prokurorja e EULEX-it, ka bërë që procesi i funksionalizimit të ndërpritet. Ai tha se pezullimi do të jetë në fuqi derisa të sigurohet dokumentacioni i plotë se objekti në të cilin gjenden aparatet për zbatimin e radioterapisë, i plotëson standardet e kërkuara.
“Ky proces ka qenë tërësisht në binarë të parashikuar sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë deri në momentin kur e kemi marrë një kërkesa nga prokurorja e EULEX-it, që procesi i funksionalizimit të këtij instituti të ndërpritet për momentin, derisa të sigurohet dokumentacioni i plotë se objekti në të cilin gjenden aparatet për zbatimin e radioterapisë, është plotësisht i sigurt dhe është në gjendje që të përmbajë brenda tij tërë sasinë e rediacionit në momentin e caktuar”, ka thënë ai.
Agani thekson se për këtë çështje ka formuar një Komision, i cili do kërkojë dokumentacionin e duhur mbi materialin që është përdorur në ndërtimin e objektit dhe pasa analizave, pritet që javën e ardhshme të fillojë përdorimi i aparateve në shërbim të qytetarëve.
Sehad Kadiri, dozimetrist në Institutin e Mjekësisë së Punës, ka bërë të ditur se në bazë të matjeve që ka bërë ky Institut, kushtet në aspektin e rrezatimit lejojnë që të zhvillohet veprimtaria e radioterapisë në kuadër të Institutit të Onkologjisë. Por sipas tij, duhet evituar edhe disa probleme teknike në kabinetet e këtij Institutit.
Pavarësisht rezultateve pozitive nga Instituti i Mjekësisë së Punës, sipas drejtorit të QKUK-së, Njazi Gashi, pritjet e pacientëve për shërbimet e radioterapisë do të vazhdojnë edhe më tutje.
Sipas tij, fjalia e fundit e vlerësimit të Institutit të Mjekësisë së Punës, ka bërë që organet hetuese të EULEX-it të pezullojnë punën. Ai tha se në gjetjet e këtij instituti thuhet se materiali i përdorur në ndërtimin e objektit nuk është komfor standardeve të kërkuara. Të kontaktuar përmes telefonit zyrtarët e EULEX-it, për të mësuar më shumë lidhur me hetimet që janë duke u bërë, për mundësinë e keqpërdorimeve dhe korrupsionit gjatë procesit të ndërtimit të objektit të Institutit të Onkologjisë.
Mirëpo, zëdhënësi Blerim Krasniqi as nuk e ka pohuar, e as mohuar një gjë të tillë, duke arsyetuar se EULEX-i nuk tregon nëse është duke bërë hetime për çështje të caktuara. Gjatë vitit 2011, në Institutin e Onkologjisë, janë kryer 11 mijë vizita ambulantore, ndërsa janë aplikuar 8 mijë 600 protokolle të kimioterapisë, gjë që tregon se numri i pacientëve që kanë nevojë për këto shërbime sa vjen e rritet.