SBASHK-u, SASH dhe FSASH me marrëveshje bashkëpunimi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja është takuar me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ali Shabanaj, kryetarin e Sindikatës së Arsimit të Holandës, Drescher Wallter, përfaqësuesin e Edukimit Internacional, Nicolas Richars dhe kryetarët e Sindikatave të Arsimit të Shqipërisë, Xhafer Dobrushi dhe Bajram Kruja.

Buja fillimisht ka folur për gjendjen e arsimit në Kosovë, të arriturat dhe sfidat të cilat po e përcjellin avancimin e këtij sektori në vend.
Ai po ashtu e ka vlerësuar lartë vetëdijen e njerëzve për të quar përpara proceset në këtë fushë.
Ministri i Arsimit në Kosovë po ashtu ka thënë se asnjë nga komunitetet në vend nuk është në mungesë të arsimimit në gjuhën amtare, ndërkaq ka shtuar se është duke u punuar maksimalisht në arritjen e nivelit më të lartë të shkollimit të tyre.
Kryetari i SBASHK-ut, Ali Shabanaj ka theksuar rëndësinë e thellimit të partneritetit mes sindikatave dhe ministrive të arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Shabanaj po ashtu ka bërë të ditur se, SBASHK-u, Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila objektiv kryesor ka zhvillimin cilësor bashkëkohor të arsimit shqiptar dhe fuqizimin e lëvizjes sindikale në funksion të këtij objektivi.
Marrëveshja tripalëshe parasheh edhe gatishmërinë dhe angazhimin e plotë të tyre për të mbështetur dhe ndikuar në plotësimin e marrëveshjes ndërshtetërore të nënshkruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, për koordinimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit, harmonizmin e planeve dhe programeve mësimore, uljen e braktisjes në arsimin bazë dhe të mesëm, projektin e Abetares së përbashkët, bashkëpunimin në reformën e kurrikulës, etj.
Ndërsa, kryetarët e Sindikatave të Arsimit të Shqipërisë, Xhafer Dobrushi dhe Bajram Kruja janë pajtuar se ekziston vullneti i sindikatave të arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë për të nxitur këmbimin e përvojave, informatave, si dhe për të përkrahur objektivat që kanë ministritë e të dyja vendeve.