Kemi arritur marrëveshje, e cila në tërësi përputhet me interesat tona- ka deklaruar shefi i ekipit negociues të Beogradit, Borislav Stefanovic, pas takimit në Bruksel.
Ai ka thënë se marrëveshja për përfaqësimin rajonal përfshin atë se mbi shkrimin Kosovë do të qëndrojë një yll, ndërsa në fusnotë do të shkruajë se ky emërtim nuk e paragjykon statusin e Kosovës dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe vendimin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
“Kërkesa e Prishtinës që në fusnotë të përfshihet edhe referenca e veçantë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës nuk është plotësuar”, ka thënë Stefanovic, duke shtuar se përmbajtja e fusnotës është në përputhje të plotë me interesat kombëtare serbe, me Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Serbisë.
Ai ka theksuar se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet që Këshilli i Evropës i ka vënë që Serbia të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.