Kosova dhe Serbia kanë bërë edhe një hap të rëndësishëm drejt ardhmërisë së tyre të përbashkët evropiane duke arritur marrëveshjet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja lidhur me përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe një protokoll për Menaxhimin e Integruar të Kufirit- thuhet në një deklaratë të Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.
“Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën. Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dhe e lëvizin Kosovën përpara dhe më afër integrimit të plotë evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin. Kosova tash do të ulet në tavolinë në forumet rajonale si partnere e barabartë, ku do ta përfaqësojë veten dhe do të flasë për veten”, theksohet në deklaratë.
Më tej, Clinton është shprehur se SHBA-të kanë një miqësi të fortë dhe të qëndrueshme me Kosovën dhe Serbinë dhe se e kanë përkrahur këtë proces që nga fillimi, prandaj përshëndesin përkushtimin dhe vendimet e vështira që ishin të domosdoshme që të bëhet përparim.
“Dëshiroj të lëvdoj të dyja qeveritë për fleksibilitetin e tyre dhe punën e vështirë që e kanë bërë gjatë këtij dialogu. I inkurajoj popujt e Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë këto marrëveshje me mirëbesim dhe që të përkrahin përparimin që është bërë. Të dyja shtetet mund jenë të sigurta për një të ardhme paqësore dhe prosperuese si pjesë e një Evrope të tërë, të lirë, dhe në paqe, vetëm përmes dialogut dhe besimit të rritur”, ka thënë Clinton.