Katër vite më parë, më 17 Shkurt të vitit 2008, u plotësuan ëndrrat shekullore të shqiptarëve, për liri, pavarësi dhe për një shtet të ri të Kosovës, duke ndërruar kështu historinë e këtij vendi dhe duke e shndërruar atë në shtet të pavarur dhe sovran.
Sot është një ditë madhështore, një ditë feste, ku të gjithë duhet të festojnë me harmoni dhe tolerancë, dhe në asnjë moment duke mos i harruar ATA, falë të cilëve, Kosova mund t’i gëzohet kësaj dite, e cila ndoshta nuk është pikërisht ashtu si e menduan, por është në rrugë për t’u bërë e tillë.
Pas katër vitesh, Kosova është njohur nga 87 shtete, ndër to edhe vendet më me ndikim, me demokraci dhe ekonomi më të zhvilluar në botë. Megjithatë, ky numër vlerësohet të jetë ende i vogël për aspiratat e shtetit më të ri evropian. Po ashtu, Kosova vazhdon të ballafaqohet ende me sfida të sundimit të rendit dhe ligjit, shkallë të lartë të korrupsionit e krimit të organizuar dhe mungesës së shtrirjes së sovranitetit në veri të vendit.
Ndërkohë, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës gjatë një seance solemne të Kuvendit, që u mbajt të enjten me rastin e katërvjetorit të pavarësisë, theksuan se katër vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova paraqet një tregim të suksesit.
Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se ëndrra e Kosovës për t’u bërë shtet u realizua me sakrificat e mëdha të popullit dhe ndihmën e madhe nga shtetet aleate, me në krye SHBA-të. Kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se 17 Shkurti i vitit 2008 paraqet datën më kulmore të historisë së Kosovës, ndërsa shtoi se Republika e Kosovës është një tregim i suksesit, me të cilin mund të krenohet bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka deklaruar se shpallja e pavarësisë ishte sublimim i aspiratave shekullore të popullit të Kosovës. Sipas tij, për katër vjet të pavarësisë, Kosova ka shënuar shumë përparime, por si një shtet i ri ende ka shumë sfida.
Duke vlerësuar se Pavarësia e Kosovës është një nga datat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, i cili me 17 Shkurt 2008 vulosi realizimin e ëndrrës së të gjithë atyre që nuk kursyen asgjë për këtë ditë të shenjtë, Stafi i Telegrafit të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës ua uron 17 Shkurtin, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.