‘Brukseli nuk ka ofruar zgjidhje, por vetëm zgjatje’

Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat e të gjitha pakicave dhe madje i jep pakicës serbe më shumë të drejta, dhe ndoshta është pakica serbe më e privilegjuara në gjithë Evropën. Një ndarje sipas parimeve etnike do t’i jepte një shtytje forcave nacional-fashiste në Evropë dhe do ta bënte me të vështirë luftën për dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Kështu mendon gazetari Erich Rathfelder, i cili qe 20 vite punon si korrespondent për Ballkanin në gazetën Tageszeitung.

“Një ndarje e Kosovës nuk vjen aspak në pyetje. Edhe pse shumë njerëz e shohin këtë si një zgjidhje të arsyeshme si për palën serbe, ashtu edhe për atë kosovare. Por nëse dikush do të shkëmbente Preshevën dhe Bujanocin me veriun e Kosovës, atëherë do të dilnin probleme të tjera serioze, që do të shqetësonin të gjithë Evropën. Kosovën me planin Ahtisaari dhe me territorin e sotëm aktual e kanë njohur tashme mbi 80 shtete. Ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve do të eliminonte bazën për njohjen diplomatike. Atëherë do të duhej të fillonte i gjithë procesi përsëri nga e para”, ka deklaruar Rathfelder për Deutsche Welle.
Sipas tij, te serbët e veriut sundon një përzierje nga frikët dhe nga pushteti politik i klanit të mafies, nga ideologjia nacionaliste dhe kërcënimet me dhunë. Ai thotë se serbët atje nuk janë të lirë në vendimet e tyre, prandaj rezultati i referendumit nuk do të njihet. Plani i Ahtisaarit u jep atyre të gjitha mundësitë për të jetuar në shtetin e ri, ndërsa parakusht për një zhvillimin paqësor është qe forca e pushtetmbajtësve aktualë të ndërpritet dhe kjo është detyrë edhe e bashkësisë ndërkombëtare- thekson gazetari.
Duke komentuar mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Rathfelder thotë se kjo është dobësi e unionit dhe paaftësi për të zhvilluar një politikë të përbashkët të jashtme.
“Këto pesë shtete i kanë shpjeguar arsyet për qëndrimin e tyre. Ato nuk janë bindëse. Spanja është tashmë duke e përpunuar qëndrimin e saj. Paaftësia për të zhvilluar një politikë të përbashkët të jashtme është sigurisht një dobësi e BE-së. Komisarja e tanishme për politikë të jashtme në BE, zonja Ashton nuk tregon asnjë profil të ri. Por unë nuk mendoj se ky qëndrim ka të bëjë me interesin në rënie për Kosovën. Merrni si shembull qëndrimin e qartë të Angela Merkelit, gjatë vizitës së saj në Beograd vitin e kaluar, që ka pasur jehonë të madhe. Edhe në Bruksel. Burokracia u zgjua e trembur. Evropa nuk mund të fshihet pas argumentit, se në botë ka kaq shumë pika të reja konflikti dhe BE-ja, kryesisht vendet e euro-zonës, ka vetë telashe. Distancimi nga Kosova pasqyron akoma pikëpamjet e shumë politikanëve në Evropë, që duan ta mbajnë afër Serbinë, sepse nuk duhet kërkuar shumë nga Serbia. Askush nuk dëshiron të ketë konflikte”, ka deklaruar ai.
Më tej, Rathfelder ka qartësuar se pa presionin e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën. “Serbia do të duhej të zgjedhë midis Evropës dhe Kosovës. Në qoftë se dëshiron integrimin, atëherë duhet t'i ndalojë lojërat politike në Kosovë. Pra ajo duhet të jetë në qendër të vëmendjes së Evropës”.
“Unë shpresoj vetëm që Gjermania qëndron në pozicionin e shprehur nga kancelarja në Beograd dhe e detyron BE–në ta mbajë këtë linjë. Serbia vazhdimisht për t'i dalë para kësaj, si Brukseli që ka bërë deri tani, nuk ofron asnjë zgjidhje të konfliktit, por vetëm një zgjatje të tij. Unë frikësohem që Merkeli në këtë çështje nuk ka shumë aleatë”, ka shtuar Rathfelder.