Një studim i kryer nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë ka zbuluar se stimuli fiskal i zbatuar nga Qeveria e Shqipërisë në disa raste gjatë viteve të fundit, nuk jep efekt domethënës në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke rekomanduar se një disiplinë fiskale më e madhe mund të ndihmojë në përmirësimin e ekonomisë shqiptare.
Studimi me titull: “Politika fiskale dhe rritja ekonomike: Rasti i Shqipërisë”, ka për autorë Arlind Gjokutaj dhe Gerti Shijaku, punonjës të Bankës së Shqipërisë. Si rregull, këto studime nuk shprehin qëndrim zyrtar të Bankës së Shqipërisë, por kanë vetëm qëllim studimor. ”Rezultatet e marra tregojnë që rritja e të ardhurave ka një efekt më të lartë në rritjen e prodhimit përkundrejt stimulit fiskal nëpërmjet rritjes së shpenzimeve”, - thuhet në përmbledhjen e studimit sipas gazetës ‘Shqip’.
“Impaktin e shpenzimeve dhe të ardhurave në rritjen ekonomike e kemi analizuar duke i ndarë të ardhurat tatimore, në: shtrembëruese dhe joshtrembëruese. Ndërsa shpenzimet, nga ana tjetër, i kemi ndarë në: shpenzime publike produktive dhe joproduktive. Ndarja e këtyre zërave në nënkategori konfirmoi rezultatet e mësipërme”, thonë më tej autorët.